Plagët dhembin kur ftohen (Helena Kadare)
Feb 26th
Marrë nga Gazeta Panorama
Në një ditë të ftohtë janari, midis pirgut të letrave të ardhura atë mën-gjes, gjendej edhe një zarf i trashë. Vinte nga Londra. Mikesha ime e kahershme …gazetarja Sanije Gashi, me anë të një e-maili elektronik, më kishte njoftuar se po më niste librin e saj të porsadalë. Po ia jepte kunatës që nisej në Londër, për më shumë siguri. Libri ishte tani ndër duart e mija. Ai titullohej: “Histori të tmerrit -1999″. Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave.
Një libër për Kosovën. Para syve më doli Sanije Gashi në takimin tonë tê parë në Paris në vitin 1991. Bashkë me Luljeta Pulën dhe avokatin Fazli Balaj kishin ardhur me materiale të shumta, kaseta dhe foto, për t’ia bërë të njohura zonjës Mitterrand, atëkohë zonjë e parë e Francës, represionin e egër të serbëve në Kosovë. Vrasjet, burgimet, rrahjet… Libri që më dërgonte ishte një vazhdimësi e punës së saj të gjatë, të palodhur.
I lashë të gjitha gjërat e tjera që kisha për të bërë dhe iu vura menjëherë leximit të tij… për ta përfunduar në mbrëmje vonë.
Dua ta them qysh në fillim: Të lexosh një libër të tillë, në mbarim të tij nuk je më ai që kishe qenë disa orë më parë. Shumë herë m’u desh të ndalem, të vështroj jashtë nga dritarja, për t’u bindur se bota reale ekziston vërtet, se njerëzit vazhdojnë të ecin normalisht, se ata bisedojnë si përherë, se ata nuk e kanë humbur buzëqeshjen, se bëjnë ende plane për jetën… Megjithatë, pas këtij libri, kurrsesi s’mund të jesh më ai që ke qenë. Sepse në botë, jo kushedi se sa larg prej këtej, po këtu, mu në zemër të Evropës, ka ndodhur diçka e kobshme, e paparë, hollësitë e së cilës njerëzit duhet t’i mësojnë me urgjencë, për të ditur si ta mbrojnë atë bisedë, ato plane, atë ecje të përditshme, gjithçka që mban në këmbë atë që quhet jetë njerëzore.





